Prej pesë muajsh në qytetin e Burrelit po implementohet një projekt për transmetimin tek brezi i ri i zanatit të zejtarisë. Fondacioni “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” me mbështetjen e Ambasadës Urdhëri i Maltës në vendin tonë dhe Bashkisë Mat ka krijuar një qendër për inkurajimin e dhjetë grave në fushën e punimeve me dorë. Për të parë nga afër ecurinë e projektit pranë qendrës e cila është e vendosur në Pallatin e Kulturës Burrel ishte drejtuesja e fondacionit “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” Elia Zaharia Zogu, Princ Leka II dhe Ambasadori i Urdhërit të Maltës në Tiranë, Stefano Palumbo, Drejtori i Mat Televizion Luftim Vani etj. Drejtuesja e Fondacionit “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” Elia Zaharia Zogu tha se ky projekt ka si synim transmetimin e zejtarisë tek brezi i ri.

Ambasadori i Urdhërit të Maltës në vendin tonë, Stefano Palumbo tha se efektet e projektit janë të dukshme, ndaj dhe do të vazhdojë ta mbështesë këtë nismë. Palumbo shtoi se duke projekti synon jo vetëm ruajtjen e punimeve artizane por edhe ndihmon gratë të jenë të pavarura ekonomikisht në jetën e tyre.

“Është hera e parë që vij në Burrel dhe falenderoj shumë princin dhe princeshën që më dhanë mundësinë për të ardhur në këtë qytet të mrekullueshëm. Unë jam ambassador që nga viti 2014 këtu në shqiperi dhe si ambassador i Urdhërit të Maltës merrem me projekte të ndryshme shëndetësore dhe spitalet. Para 6 vitesh në Shqipëri jam mahnitur nga mënyra e mrekullueshme e estetikës së artizanatit shqiptar, që unë shoh që nuk ka asnjë ngjashmëri as në ballkan as në Europë. Duke folur me princeshë Elian vendosëm të zhvillojmë një projekt të vogel dhe falë fondacionit “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” siç e shikoni edhe sot, ka pas efekte të mrekullueshme. Pra ky projekt ka arritur dy gjëra të rëndësishme, ndihmon gratë për të qenë të pavarura ekonomikisht në jetën e tyre dhe gjithashtu mban traditën dhe kulturën e një krahine dhe një vendi që siç e thash edhe më lart nuk ka ngjashmëri me vendet e tjera. Shqipëria nga ana artizanale është e mrekullueshme dhe për këtë duhet të ndihmohet. Urdhëri i Maltës së bashku me fondacionin “Nëna MbretëreshëGeraldinë” dhe kryebashkiakun e Matit që u tregua shumë i gatshëm duke na dhënë këtë vend të përshtatshëm dhe duke na e dhuruar pa pagesë do të bëjmë të mundur vazhdimin e projektit. Sot jemi gati për të menduar për të ardhmen e këtyre grave, të ardhmen e artizanatit shqiptar në përgjithësi dhe se si ai jo vetëm të transmetohet nga brezi në brez, por edhe që të sjell të ardhura ekonomike”.

Qendrën e ngritur nga Fondacioni “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” e pa nga afër edhe Mnistri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. Ky i fundit tha se ligji për zejtarinë do të krijojë mundësinë që të tregtohen në shërbim të turizmit vetëm produktet shqiptare.

Vazhdimi i këtij projektit pritet të sjell zgjerim me trajnim dhe specializimin e shumë grave matjane.

Malaj pret Ambasadorin e Urdhërit të Maltës, Stefano Palumbo

Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj priti në një takim zyrtar Ambasadorin e Urdhërit të Maltës në vendin tonë Stefano Palumbo. Ky i fundit ishte i shoqëruar nga Princ Leka II, Princeshë Elia Zaharia Zogu, etj. Kryebashkiaku Agron Malaj njohu përfaqësuesit e Maltës në vendin tonë me historinë e Matit, mundësitë e zhvillimit ekonomik të trevës sidomos duke investuar në turizëm.
Gjatë fjalës së tij, Malaj tha se do të pounohet për ringritjen e sarajeve mbretërore në Burgajet. Që ato të shërbejnë jo vetëm si një dëshmi e prejardhjes së familjes mbretëore, por edhe për të gjithë vizitorët që do të duan të njohen me historinë e mbretërisë shqiptare.
Nga ana e tij, Ambasadori i Urdhërit të Maltës në vendin tonë Stefano Palumbo tha se mbështetja e urdhërit do të jetë edhe në fusha të tjera si në shëndetësi. E për këtë Palumbo e Malaj diskutuan mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje financimi në fushën e shëndetësisë.
Ura e bashkëpunimit sapo është lidhur mes dy drejtuesve të tinstitucioneve që pritet të finalizohet në të ardhmen me projekte të tjera.