PS zyrtarizon kandidatët për Bashkitë e Qarkut Dibër
Dy ditë para skadimit të afatit ligjor për dorëzimin e emrave të kandidatëve për kryetar të Bashkive në zgjedhjet e 30 Qershorit, Partia Socialiste ka zyrtarizuar emrat e kandidatëve për katër bashkitë e Qarkut Dibër. Bashkinë e Matit, PS ja ka besuar Agron Malajt. Malaj është i diplomuar për Drejtësi dhe që nga viti 2014 mban detyrën e Drejtorit Rajonal të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për pesë rrethet, Dibër, Bulqizë, Mat, Kurbin dhe Mirditë si dhe të koordinatorit politik të PS për Bashkitë Mat e Klos.
Për Bashkinë e Dibrës, Partia Socialiste ka vendosur të kandidojë Dionis Ymerajn. Ymeraj është diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Tiranë në degën Menaxhim – Biznes. Ai ka mbajtur më parë postin e Drejtorit Rajonal të Tatimeve Dibër, ndërsa aktualisht punon në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Tiranë.
Për Bashkinë e Bulqizës, PS ka vendosur të kandidojë kryetarin aktual të kësaj force politike, Lefter Alla. Alla është diplomuar për Mjeshtëri Sportive dhe radhitet ndër biznesmenët e kromit në Bulqizë.
Për Bashkinë e Klosit, PS ka menduar të kandidojë ushtarakun Ilmi Hoxha.
Deri tani për të katër bashkitë e qarkut dibër janë zyrtarizuar 5 kandidatura, katër prej të cilave nga PS dhe 1 i pavarur, Bedri Hoxha për Bashkinë e Klosit.