Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka nisur punën për verifikimin e kandidatëve të paraqitur nga subjektet politike, por edhe ato që garojnë të pavarur. Ndërkohë, kandidatura e parë e zyrtarizuar nga KQZ në Qarkun Dibër për zgjedhjet e 25 Prillit, është ajo e kandidatit të pavarur, Elton Debreshi.
Komisioni qëndror i zgjedhjeve ka bërë verifikimet e nevojshme për kandidatin e paraqitur nga një grup qytetarësh nismëtar, Elton Debreshin si dhe ka miratuar kandidimin e tij në zgjedhjet parlamentare.
Por kush është Elton Debreshi. Ai ka lindur në Fshatin Kodra e Danit në Njësinë Administrative Fushë – Bulqizë. Eltoni është baba i katër fëmijëve dhe ka punuar prej shumë vitesh si minator në minierën e Bulqizës. Në vjeshtën e vitit 2019, Debreshi sëbashku me një grup tjetër minatorësh themeluan Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. që prej themelimit të saj, minatori Elton Debreshi denoncoi kushtet e vështira të punës në minierën më të madhe në Bulqizë që administrohet nga Kompania Albchrome. Por këto denoncime i kushtuan atij dhe disa minatorëve të tjerë vendin e punës.
Tashmë Elton Debreshi synon mandatin e deputetit, për të qenë zëri i minatorëve në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë, e për të cilin i duhen rreth 16 mijë vota. Por edhe nëse Debreshi nuk i merr këto vota, ai pritet të heqë shumë vota si nga PS, PD apo LSI.