Një pamje e tillë e pemës së pishës në vendin tonë është krejt e zakonshme në këtë periudhë. Paraziti i procesionares ka ndërtuar shtëpinë e tij në degët e pishës, madje janë 6 deri në 8 qeska për çdo pemë.

Këto pamje që shihni janë në masivin pyjor me pishë në fshatin Xibër Hane të Bashkisë së Klosit.

As këtu, pisha e zezë nuk i ka shpëtuar dot infeksionit të procesionares. Prania e këtij dëmtuesi është e dukshme në çdo parcelë me pishë.

Që porej vitit 2015 nuk ka patur asnjë nismë zyrtare për të pastruar mijëra hektarë pishë të infektuar nga procesionarja. Ndërkohë metodat mbeten të njëjta ajo e luftës biologjike e cila është thuajse e pamundur të realizohet, metoda kimike me anë të spërkatjes dhe metoda mekanike me anë të prerjes së degëve të infektuara e më pas djegia e tyre.

Kjo metodë u përdor në vitin 2015 në parcela të ndryshme në të gjithë vendin, por nisma e Ministrisë së Bujqësisë dhe Mjedisit në atë kohë mbeti me kaq, duke bërë që procesionarja të vijonte përhapjen dhe që sot mendohet të ketë kapur sipërfaqen e rreth 200 mijë hektarëve.