Shfaqja e procesionaries në pyjet me pishë të zezë është kthyer në një rrezik serioz për qindra hektar të mbjella me këtë halorë. Shumë masive pyjore në të gjithë Qarkun Dibër janë drejt thajres së plotë, sidomos në zonën e Bulqizës dhe një pjesë të Klosit. Procesionarja ka tharë majat e degëve të pishave duke i shkaktuar një dëmtim total të gjithë pemës. Kjo sëmundje shfaqet tek Pisha e zezë e cila rritet në pyje me reliev të thyer dhe në lartësi të konsiderueshme mbi nivelin e detit.
Procesionaria është një dëmtues biologjik tepër i rëndë për pyjet me pisha, që çon deri në tharje të plotë të pemës. Edhe në zonën e Matit ka masive të dëmtuara të pishave nga procesionarja, kryesisht ajo mbi fshatin Shëlli. Ndërkohë edhe masivi në fshatin Komsi është i prekur nga kjo sëmundje, ndonëse ende nuk i ka tharë pemët e pishës. Pothuaujse çdo pishë e ka nga një fole me larva të këtij dëmtuesi. Banorët e zonës kërkojnë që të ndërhyhet sa nuk është shkaktuar dëmi i madh ekonomik në to.
Mbrojtja e pyjeve nga ky dëmtues i rrezikshëm është e e pamundur, ndërsa luftimi i saj mund të bëhet në mënyrë mekanike me prerjen e degëve të infektuara dhe më pas djegien e qeskave me larva si dhe me anë të spërkatjes nga ajri me lëndë kimike.

Share
Read more