Ndoshta situata e krijuar nga procesionarja e Pishës nuk është marrë aq seriozisht por dëmet që po shkakton ajo në masivet pyjore me këtë halorë janë vërtetë të frikshme.
Ky është masivi pyjor me pishë në fshatin Plan i Bardhë të Klosit. Në këtë masiv pyjor është vështirë të dallosh pishat nga gjethegjerët pasi kanë të njëjtën ngjyrë. Pishat aty janë zhveshur totalisht nga halat e tyre të cilat janë dëmtuar nga procesionarja.
Specialistët e mjedisit thonë se dëmi ekonomik dhe ekologjik është shumë i madh, por ajo që ata kërkojnë është të shpëtohen masivet e tjera halore me pishë të zezë të cilat ende nuk kanë marrë formën e këtij masivi në fshatin Plan i Bardhë.
Temperaturat e larta që shoqëruan këtë stinë dimërore e kanë favorizuar procesionaren e cila tashmë ka çarë qeskat e i është drejtuar tokës, kur do të kryejë ciklin tjetër transformues të saj për të dalë më pas në fund të verës në formën e fluturës e për të lëshuar sërisht vezët mbi pisha.
Specialistët e pyjeve janë shprehur vazhdimisht se luftimi më i mirë bëhet kur ajo është në degë brenda qeskës së saj, sidomos me metodën mekanike. Situata e procesionares së pishës po kthehet në një çështje emergjence kombëtare pasi nga vetë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është raportuar një sipërfaqe prej 150 hektarësh të infektuar.