Për specialistët e pyjeve tani është koha e duhur për të luftuar procesionaren e pishës, një ndër insektet më të rrezikshme të dëmtimit të tyre. Në disa masive pyjore në Mat e Klos pemët e pishës janë dëmtuar në masë të madhe, ndërsa në masive të tjera ato sapo janë prekur. Specialisti i Pyjeve Riza Buci thotë se në rast se procesionarja nuk luftohet, atëherë dëmet janë kolosale në ekonomi, duke qenë se pisha do disa dekada të shkojë në lartësinë e atyre që janë aktualisht.
Tre janë mënyrat për ta luftuar këtë parazit të rrezikshëm për pishën. Buci thotë se duke qenë se aktualisht tepmetarurat janë nën zero gradë gjatë natës, çarja e foleve të procesionares do të ishte me kosto më të ulët dhe efikase, ndonëse ka nevojë për fuqi të madhe punëtore për shkak të sipërfqes që shkon në qindra hektar pishë.
Të kontaktuar nga Mat Televizion, drejtues të drejtorisë së pyjeve në Bashkinë Mat, thanë se është e pamundur që nga institucioni vendor të përballohet kostoja e luftës nga secila mënyrë e procesionares. Ata u shprehën se po përgatitin një shkresë që do t’i drejtohet qoftë prefekturës Dibër e qoftë Ministrisë së Mjedisit, për njohje me problemin dhe nevojën për të mbështetur financiarisht Bashkinë e Matit.