Reshjet e shumta të shiut të nisura që prej pasdites së të mërkurës, kanë krijuar probleme edhe në rrugën nacionale Burrel – Skuraj. Në segmentin e Shkopetit ka patur rënie gurësh në mënyrë periodike, ndërsa në afërsi të Urës së Ulzës, ka patur rrëshqitje dherash.
Situatë problematike paraqitet në Baz ku rruga nacionale është me një sens lëvizjeje prej një muaji. Asfalti vijon të çahet duke rrezikuar që rruga të shembet totalisht. Kanali kullues në anën e sipërme të rrugës është bllokuar sërish, duke bërë që uji i shiut të përfundojë në asfalt. Drejtuesit e mjeteve shprehen se i gjithë aksi është me probleme, ndërsa shembja në Baz është burim aksidentesh, sidomos për ata drejtues mjetesh që lëvizin për herë të parë në këtë rrugë. Ata i bëjnë apel autoriteteve që të ndërhyjnë në rehabilitimin e kësaj rruge, e cila po degradohet çdo ditë e më keq.
Mjetet e tonazhit të rëndë kalojnë me vështirësi në këtë pjesë pasi për shkak të rrëshqitjes rruga është ngushtuar shumë. Ndërkohë në të gjithë aksin ka prani të madhe të gropave, ndërsa me shirat e fundit ata pritet që të shtohen akoma edhe më shumë.