Sa herë ka reshje shiu, bore apo fryn erë banorët e lagjeve Allaj e Barruku në fshatin Rripë të Njësisë Administrative gurrë në Bashkinë e Klosit përballen me mungesë të energjisë elektrike. Për shkak të amortizimit të rrjetit përcjellës, telat takohen dhe shkaktojnë masë duke lënë pa energji gjithë banorët. Këta të fundit janë munduar që ta mbajnë vetë rrjetin, ose të paktën me mjete rrethanore ata kanë siguruar që fijet përcjellëse të mos kenë kontakt me njëra-tjetrën. Banorët thonë se problemin e tyre ja kanë bërë të ditur edhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, por deri tani nuk është marrë asnjë masë. Ata kërkojnë që rrjeti të bëhet siç është bërë në shumë zona të tjera që deri tek matësi të shkojë me kabull. Vetëm në këtë mënyrë do të shmangen avaritë.
Mjetet e vendosura nga banorët për të mos u takuar fijet përcjellëse, rrezikojnë edhe jetën e fëmijëve të cilët luajnë poshtë tyre.