PROBLEM ME KOSHAT E MBETURINAVE NË FSHATIN SHULBATËRR, NË FUND VENDOSEN TEK URA
Banorët e fshatit Shulbatërr, në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit, prej muajsh përballen me problemin e vendit të vendosjes së kontejnerëve të mbeturinave. Vendqëndrimi i koshave është ndërruar disa herë pasi nuk janë higjenik për t’i patur afër banesave apo pranë bizneseve. Bashkim Kadiu ka një biznes të vogël ngjitur me rrugën kryesore. Ai thotë se nuk mund t’i mbante koshat e mbeturinave aty për shkak se kishte prani të shtuar insektesh dhe mund të bëheshin shkak për prishjen e produkteve që tregton tek banorët e zonës. Bashkimi tregon se ka propozuar që koshat për depozitimin e mbeturinave të vendosen diku tjetër, qoftë në tokën e tij, por është refuzuar nga banorët e tjerë. Me ndërhyrjen edhe të Bashkisë Klos, më në fund kontenjerët e mbeturinave për fshatin Shulbatërr janë vendosur tek ura, ngjitur me rrugën nacionale Klos – Burrel. Kjo mosdakordësi mes banorëve të fshatit Shulbatërr për vendosjen e koshave të mbeturinave brenda fshatit, i detyron ata që t’i mbartin mbeturinat e ditës për rreth 1 kilometër deri tek koshat ngjitur me rrugën nacionale Klos – Burrel.