Ekipi i futbollit “Burreli” është grumbulluar zyrtarisht të hënën pasdite në ambjentet e stadiumit “Liri Ballabani”. Drejtues të klubit prezantuan para lojtarëve trajnerin e ri Samuel Nikaj i cili do t’i drejtojë ata për sezonin e ardhshëm. Në stërvitjen e parë të ekipit të panishëm ishin disa futbollistë të cilët i janë bashkuar skuadrës për tu testuar. Por zyrtarizimi më i ri është mesfushori anësor nga Kosova, Alban Rexhepi i cili ka luajtur sëfundmi me ekipin e Ferizajt që aderon në superligë. Trajneri Nikaj tha se vendimi për të ardhur në Burrel nuk ishte edhe aq i vështirë për faktin se më parë ka qenë lojtar i këtij ekipi. Nëse zgjedhja do t’i jepej në kategori, Nikaj tha se në vetëm dy ekipe do të merrte përgjegjësinë, Burreli në kampionatin shqiptar e Vushtria në atë të Kosovës. Objektivi për numrin një të pankinës matjane mbetet kreu i grupit e pse jo realizimi i një ëndërre të madhe për ta ngjitur në superoire.
Të them të drejtën kisha vendosur t’i jap fund karrierës time në kategorinë e parë. Prisja rastin për superligë, pasi kam bërë shumë vite në kategorinë e parë. Mendoja që vetëm dy ekipe mund të më rikthenin në kategorinë e parë, Vushtria në Kosovë dhe Burreli në Shqipëri, sepse kam qenë pjesë e Burrelit në vitet 1999 – 2000, kur Burreli ishte në superligë. Këtu kam patur shoqërinë dhe nostalgji për këtë vend që të them të drejtën jam rikthyer pothuajse çdo vit që prej 20 vitesh. Nisur nga këto e kisha të pamundur t’i thoja jo ftesës për të drejtuar këtë skuadër. Por jo vetëm kjo, duke parë që edhe sezonin e kaluar drejtuesit janë munduar të bëjnë një ekip të mirë, e mbi të gjitha kanë qenë korrekt, janë bërë investime në stadium. Kjo është një sfidë që mendoj nga viti 2005 – 2006 Burreli nuk e ka arritur, ndaj dhe këtë vit ne do të bëjmë maksimumin për të qenë pretendent. Do të rikthejmë entuziazmin në qytetet nga ndeshja në ndeshje dhe pse jo kalimi në superligë. Deri tani kemi përzgjedhur disa element që mendoj se janë serioze që nga portieri dhe futbollist të reparteve të tjera. Por ne jemi këtu për tju dhënë mundësinë edhe atyre lojtarëve që ndoshta nuk e kanë patur shkëlqimin në karrierën e tyre. Pra këtu do të luajnë të gjithë ata që vërtetë duan të kenë një karrierë në futboll” – tha Nikaj.
Për Administratorin e Klubit të Futbollit “Burreli”, Bajram Ballabani, rrugëtimi i tij në krye të klubit në këto dy vite ka qenë i vështirë, por ka patur mbështetjen e biznesit, individëve dhe drejtuesve të bashkisë. Ballabani tha se ndryshe nga viti i kaluar, ky sezon pritet të jetë më i mirë për Burrelin.
“Ne mbyllëm një sezon të vështirë pasi skuadrën e morëm në një pikë të vështirë. U munduam të ndërtojmë një skuadër të denjë për kategorinë e parë. Patëm problemet tona, si me trajnerët apo që ekipi të rikthehej të stërvitej në Burrel. megjithë këto probleme ne ja dolëm dhe për pak nuk arritëm të ishim në zonën play off të grupit A. Megjithatë, për këtë sezon, gabimet që u bënë sezonin e kaluar nuk do të përsëriten më. Kemi nisur që nga përzgjedhja e një trajneri cilësor, i cili ka qenë pjesë e kësaj skuadre dikur. Nikaj e ka treguar veten e tij edhe profesionalisht pasi ka dhënë shumë në drejtimin e disa ekipeve si në kampionatin tonë, ashtu edhe në atë të Kosovës në superligë. Kemi siguruar lojtarë cilësor pasi këtë vit do të kemi edhe ne pretendimet tona për superligë e jo vetëm qëndrimin në kategorinë e parë. Unë dua të falenderoj të gjithë ata që na mbështetën sezonin e kaluar, grupet e biznesit, individët dhe Kryetarin e Bashkisë, Agron Malaj, të cilët na janë gjendur pranë në çdo situatë, për të bërë më të mirën e mundshme me skuadrën. Dua t’i siguroj ata që do të vazhdojnë të na mbështesin që çdo qindarkë e tyre do të shkojë për rritjen e cilësisë së ekipit në mënyrë që edhe ata ta ndjejnë kënaqësinë e dhurimit të të hollave të tyre” – tha Ballabani.
Burreli sapo e ka hapur merkaton dhe janë disa repartee në skuadër që pritet të plotësohen në ditët në vijim.