Të nderuar qytetarë dhe bashkatdhetarë,
Të dashur gazetarë dhe përfaqësues të medias!
Më datë 10 qershor 2019 kam dekretuar shfuqizimin e Dekretit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe anulimin e datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.
Kjo vendimmarrje veç të tjerave synonte që t’u krijonte palëve një mundësi reflektimi dhe hapësire për të dialoguar për një zgjidhje në funksion të interesit kombëtar dhe agjendës së përbashkët europiane të Shqipërisë.
Në veçanti kjo iniciativë synonte të ndihmonte përpjekjet publike për dialog të Kryeministrit Rama, i cili i kishte shkruar shtatë letra të gjata publike Kryetarit të Opozitës, zotit Basha.
Por në mënyrën më zhgënjyese, nën direktivat e tij, Kuvendi miratoi një Rezolutë parlamentare, nëpërmjet së cilës iu bënte thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, që të mos zbatonin Dekretin e Presidentit të Republikës, edhe pse ky Dekret ishte botuar në Fletore Zyrtare duke qenë i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë, përfshirë këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë.
Ditën e djeshme në Kolegjin Zgjedhor u shqyrtua kërkesa e një partie politike kundër një vendimi të KQZ-së, që e pengonte atë të çregjistrohej nga zgjedhjet tashmë imagjinare të 30 qershorit.
Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë së kësaj force politike, për t’u çregjistruar nga këto zgjedhje imagjinare.
Vendimi i marrë dje nga Kolegji Zgjedhor ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese, aleate e Partisë Socialiste dhe organizatës socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që kanë vendosur të zhvillojnë një proces të paligjshëm në 30 Qershor.