Prek, shiko, lëviz. Është kjo “formula” që Banka e Shqipërisë u sugjeron qytetarëve për të identifikuar paratë false.

Aranit Bajri, përgjegjës i Qendrës Kombëtare të Analizës në Bankën Qendrore shpjegon se si mund të kryhet ky proces. Për shkak edhe të vlerës, preja 1 mijë lekë rezulton më e falsifikuar. Bajri tregon se gjatë pandemisë rritje pësoi edhe falsifikimi i kartëmonedhës 2 mijë lekë.

Falsifikimi i parave vijon të mbetet prezent në vend. Gjatë vitit të shkuar, koeficienti i kartëmonedhave të falsifikuara për 1 milion copë në qarkullim pësoi një rritje të lehtë.

Për falsifikatorët parashikohet dënim me burg deri në 5 vjet, ndërsa kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Banka e Shqipërisë thotë se falsifikimi i parave nuk është fenomen shqetësues pasi sasia mbetet e ulët ndërsa imitimi i kartëmonedhave rezulton në nivele tejet amatore.