Rrugët nacionale nuk po ndoten vetëm nga mbeturina të konsumit të çastit, por janë kthyer në pritës të mbetjeve inerte. Situata mbetet shqetësuese në rrugën nacionale Peshkopi – Tiranë ku në shumë segmente ka prani të inerteve, duke krijuar jo vetëm një imazh të keq për të gjithë ata që vizitojnë Qarkun Dibër, por edhe ndotëse. Prani të këtyre mbetjeve ka në Klos, Qaf Bualli, Maqellarë etj. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se situata është shqetësuese ndaj dhe ju është kërkuar institucioneve përgjegjëse të mbrojtjes së territorit dhe pushtetit vendor, të marrin masa të menjëhershme, që jo vetëm të largojnë këto mbetje por edhe të zbulojnë individët apo subjektet që i kanë hedhur.
Mbajtja pastër e rrugëve nacionale është një nismë e qeverisë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në kuadër të sezonit turistik. Nisur nga kjo, institucioneve ju është kërkuar një angazhim më i madh për të larguar çdo mbetje që ndodhet anash rrugëve.