Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu ka mbledhur në një takim këtë të mërkurë drejtuesit e 4 bashkive të këtij qarku, drejtuesit e Zyrave Vendore Arsimore dhe nënprefektët e Matit e Bulqizës. Qëllimi i këtij takimi ishte raportimi mbi përgatitjen e objekteve arsimore, stafit pedagogjik dhe masave të marra ndaj pandemisë. Në fjalën e tij, Prefekti Shehu tha se tashmë institucionet e kanë një përvojë të vitit të kaluar në lidhje me pandeminë, duke jua bërë punën më të lehtë.

Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj u shpreh se është punuar në të gjitha shkollat e bashkisë që ai drejton dhe se sipas tij të gjitha objektet ku do të mësojnë nxënësit janë në kushtet optimale.

Drejtoresha e ZVA Mat, Shpresa Tusha u shpreh se stafi po plotësohet duke ndjekur procedurat e portalit mësues për Shqipërinë dhe se deri me datë 27 Shtator, do të jetë finalizuar gjithçka.

Për Bashkinë Klos, Kryetari Ilmi Hoxha ngriti si problematikë shkollën e mesme të Bashkuar “Haxhi Lata” në Suç. Sipas tij, pushteti vendor po mundohet t’i japë një zgjidhje.

Përfaqësuesit e pushtetit vendor në Bulqizë, ngritën problematikën e disa shkollave që janë jashtë standarteve siç është shkolla e fshatit Smollik.

Ndërsa kryetari i Bashkisë Dibër, Shkëlqim Murrja tha se aktualisht janë bërë gati rreth 80% e godinave arsimore, ndërsa vijon të punohet në të tjerat.