Skuadra matjane e futbollit “Burreli” ka marrë udhëzimet e fundit nga stafi teknik këtë të martë, një ditë para ndeshjes zyrtare që do të luajë të mërkurën e 26 Marsit në transfertë ndaj Besës së Kavajës. Djemve të Burreli u është kërkuar nga stafi teknik angazhim maksimal dhe asnjë gabim në këtë përballje e cila ka një rëndësi të veçantë pasi është ekipi direkt rival për zonën e play off-it. Ndërkohë, mbrojtësi i skuadrës së Burrelit, Kreshnik Fetaj u shpreh se gjendja e kolegëve të tij është shumë e mirë dhe se qëllimi kryesor mbetet marrja e pikëve në këtë përballje, ndonëse takimi konsiderohet i vështirë. Fetaj u shpreh gjithashtu se jo vetëm ndeshja ndaj Besës por çdo ndeshje ka rëndësi maksimale për të arritur aty ku është objektivi i Burrelit, pjesmarrja në play-off.
Ndeshja e nesër mes Besës së Kavajës dhe Burrelit do të luhet në orën 12 e 30 minuta, në stadiumin “Arena e Demave” të kompleksit “Partizani” në Tiranë.