Procesionarja nis “arratinë”, masivi me pishë në Gurë të Bardhë më pak i prekur
Procesionarja apo krimbi i pishës është thuajse prezentë në të gjitha masivet pyjore në vendin tonë. Por prezenca e saj është e ndryshme në masive me pishë. Në shumë prej tyre kryesisht në ultësira ajo është me shumicë, duke bërë një dëm të konsiderueshëm tek pemët halore.
Por në masivin pyjor me pishë të zezë në fshatin Gurë i Bardhë i Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit është më pak i prekur. Për shkak të rritjes së temperaturave gjatë muajit Mars, procesionarja ka nisur të dalë nga qeskat e krijuara në degët e pishës.
Ndërkohë, dëmet më të mëdha duket se i ka bërë në pishat e reja të cilave ju ka ngrënë të gjitha halat e gjelbëra.
Procesionarja e pishës mbetet dëmtuesi më i madh i masiveve halore me pishë të zezë. Ajo është shtrirë në një sipërfaqe prej afro 200 mijë hektarësh në të gjithë vendin tonë. Aktualisht procesionarja është në formën e larvës brenda qeskave. Pas periudhës së larvës, ato zbresin nën tokë dhe transformohen në krisalidë, të mbuluara me një qeskë mëndafshi, ku zhvillohen dhe përgatiten për t’u shndërruar në flutura. Fluturat dalin nga pupat dhe përsërisin ciklin duke u çiftëzuar dhe duke vendosur vezët e reja.