Home Blog Page 13

Lumi i Matit, zona më e ndotur, mbeturinat mbeten në bimësi

Pasojat e hedhjes së mbeturinave pa kriter në zonat rurale, janë më të evidentueshme në shtetërit e përrenjëve apo lumenjëve. Në një situatë të ngjashme ndodhet edhe shtrati i Lumit të Matit që nga ura e Fshatit Fshat deri në hyrje të liqenit të Ulzës.

Siç duket nga pamjet, mbeturina nga më të ndryshmet kanë ngecur në bimësinë e shtratit të lumit kur ky i fundit ka patur prurje të mëdha gjatë shirave të vjeshtës apo dimrit.

Mbetjet janë kryesisht plastike që nga plastmasët e deri tek veshjet e ndryshme. Një pjesë e këtyre mbeturinave të hedhura nga banorët e zonave rurale prej vitesh, janë ndaluar nga bimësia, e një pjesë tjetër ka përfunduar në ujërat e liqenit në Ulzës.

Kjo është evidentuar disa herë teksa kur ka reshje të shumta shiu, sipërfaqja e liqenit të Ulzës e kryesisht pjesë pranë digës së hidrocentralit mbushet me bidona plastikë të produkteve të ndryshme.

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit pak vite më parë nisi një fushatë të gjerë për pastrimin e shtretërve të lumenjve, por ajo përfshiu vetëm një numër të vogël lumenjsh kryesisht në Shqipërinë e Mesme por nuk u shtri në të gjithë territorin.

Veç dëmit që shkakton ndotja tek gjallesat ujore, një tjetër impakt negativ kjo ndotje ka edhe në turizëm.

BULQIZË, PUNOI 25 VITE NË EMIGRACION, TASHMË PO INVESTON SUKSESSHËM NË VENDLINDJE

Një histori suksesi vjen nga fshati Çerenec i Poshtëm, Njësia Gjoricë, Bashkia Bulqizë, ku Xhevat Izvira, pas 25 vitesh emigrimi në Greqi, ka vendosur të rikthehet dhe të investojë në tokën e tij. Me eksperiencën e fituar, ai ka zgjeruar sipërfaqen e tokës së punueshme në 13 dynymë, duke mbjellë pemë frutore si kumbulla, qershi dhe rrush. Eksperiencën e marrë në Greqi, tani do ta implementojë në vendlindje, pasi thotë ai, si vendlindja jote nuk ka. 

Xhevati tregon se shteti në Greqi të ndihmon për gjetjen e tregut, apo dëmtimin e prodhimit, ku fermeri i dëmtuar paguhet rreth 50 % të kostos së shpenzuar. Por këtu në Shqipëri ai thotë se kërkon nga shteti vetëm ta ndihmojë për gjetjen e tregut të prodhimit.

Shqetësimi tjetër që ngre Xhevati është humbja e viteve të pensionit, pasi për 25 vite ka punuar me dokumentacion të rregullt të shtetin grek. Por Xhevati shpreson që të arrihet një marrëveshje mes dy shteteve, si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në fund, ai ka një thirrje për bashkëatdhetarët e tij: të rikthehen dhe të investojnë në vendlindjen e tyre, sepse, siç thotë ai, “si vendi yt nuk të bëhet asnjë vend tjetër.”

HAPJA E TUNELIT TË MURRIZIT, FERMERËT KLOSJANË: LEHTËSI PËR TREGTIMIN E PRODHIMEVE TONA

Banorë të fshatrave të Klosit që prej hapjes së rrugës së Arbrit po i shesin prodhimet e tyre bujqësore pranë rreth-rrotullimit të fshatit Fshat. Dikur ata i shisnin në rrugën e vjetër nacionale nga Ura e Fshatit në Qaf Buall.

Për shkak se këta banorë nuk kanë ferma të mëdha, që do të kishin shumë prodhim, prodhimin bujqësor familjar e shesin në rrugë për kalimtarët e rastit.

Hapja e rrugës së Arbrit  ka qenë mundësi shumë e mirë për fermerët klosjanë, por ata thonë se me hapjen edhe të tunelit të Murrizit do ta kenë akoma më të lehtë të shesin prodhimet e tyre. Njëra nga fermerët, Lule Zhuku shprehet se të gjitha produktet që tregton janë të familjes së saj. Pas hapjes së tunelit, ajo thotë se do ta ketë më të lehtë të shkojë t’i shesë edhe në kryeqytet.

Gjatë rrugë së Arbrit, nga Peshkopia deri në Tiranë janë disa tregtarë ambulantë që kanë zgjedhur të shesin prodhimet e tyre bujqësore tek kalimtarët e rastit, por pika më e përqendruar e këtyre prodhimeve bujqësore është tek rrethrrortullimi në fshatin Fshat, ku bashkohet rruga e Arbrit me rrugën lidhëse me qytetin e Klosit.

HIDHEN 40 MIJË COPË RASAT NË LIQENIN E ULZËS 

Liqeni i Ulzës po pasurohet çdo vit me rasat peshku nga bashkëpunimi mes Bashkisë së Matit dhe Kompanisë që ka privatizuar hidrocentralet Ulëz e Shkopet.

Këtë të enjte është hedhur në basenin e liqenit të Ulzës një sasi prej 40 mijë copë rasat peshku të llojeve ballgjan, omur e krap.

Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se pasurimi i liqenit të Ulzës dhe të Shkopetit me mijëra copë rasat çdo vit, ka rritur ekonominë nënujore dhe ju shërben të gjithë grupeve të peshkatarëve në zonë. Malaj garantoi se ky proces mbarështimi i faunës ujore të liqeneve Ulëz e Shkopet do të jetë i përvitshëm.

Ndërsa Drejtori i Hidrocentraleve Ulëz e Shkopet, Erin Ndreca, tha në fjalën e tij se bashkëpunimi me pushtetin vendor është në të mirë të komunitetit.

Ekonomia ujore e liqeneve Ulëz e Shkopet është rritur ndjeshëm vitet e fundit qoftë nga hedhja e rasatit të përvitshëm të peshkut, qoftë edhe nga shtimi natyral i tij.

Futboll / Burreli fiton me përmbysje në Lushnje, mund vendasit 3 me 1

0

Ekipi i futbollit, Burreli, ka arritur një tjetër fitore të rëndësishme në kampionat këtë të mërkurë në transfertën e luajtur në fushën “Plug Lushnje” ku mundi ekipin vendas të Lushnjës me rezultatin 3 me 1. Ndeshja ka nisur me vrull nga të dyja skuadrat të cilat kërkuan me ngulm golin e avantazhit, por janë vendësit që gjejnë rrjetën e portës matjen të parët. Hida kalon ekipin e tij në avantazh në minutën e 34 ndërsa skuadra e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj nuk arriti të shënojë për plot 70 minuta.

Në këtë moment është Francino që barazon shifrat dhe i jep ekipit të tij moral për të vazhduar në kërkim të golit të fitores. Do të jetë Farruku që me dopjetën e tij në minutat 81 e 90-të që do të vulosë rezultatin final të takimit Lushnja 1 e Burreli 3. Me këtë fitore Burreli thellon diferencën e pikëve me Lushnjën nga 4 në 7 pikë për vendin e katërt në tabelën e renditjes.

Të gjitha takimet e javës së 26 janë luajtur këtë të mërkurë dhe përfuduan me rezultatet Pogradeci – Erzeni 3 me 0, Kastrioti – Besa 2 me 3, Apolonia – Flamurtari 1 me 2, Korabi – Vora 0 me 1 dhe Kukësi – Valbona 3 me 0.

Ndeshjet e javës së 27 janë parashikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit që të luhen të gjitha ditën e diel me 9 Mars, ku Burreli do të presë në stadiumin “Liri Ballabani” ekipin e Pogradecit.

LIBRA TË RINJ, BASIR BUSHKASHI SJELL VËLLIMIN POETIK TË 19-të “PËRDITË SHOH MALET”, ME RASTIN E 72-VJETORIT TË LINDJES

Poeti matjan Basir Bushkashi, tashmë një penë e afirmuar në sferën e letërsisë shqipe, më 1 mars festoi ditëlindjen e 72 të tij, dhe e ka bërë traditë që me këtë rast lexuesve të shumtë të tij tu bëjë dhuratë një vëllim të ri poetik. Ai befason këtë herë me librin e 19 të tij, “Përditë shoh malet…”, një titull ky që bart një domethënie të thellë simbolike dhe filozofike.

Pena bushkashiane në këtë libër të ri me poezi, “Përditë shoh malet…” , një kopje të të cilët e ka përcjellë me shumë konsideratë pranë “Mat Televizion”, dëshmon edhe njëherë se muza artistike e Basir Bushkashit nuk njeh as moshë, as lodhje. Poezitë e tij vijojnë të jetë në linjën e muzës origjinale, përgjithësisht të shkurtra, por mesazhpërcjellëse të fuqishme, të ndërtuara bukur artistikisht, e që di të rrëmbejë zemrat e mendjet e lexuesve të një shkalle të gjerë.

Bushkashi nuk resht së shkruari edhe në këtë libër për përmallimin e lumit, kumbullën e bardhë, brengat e jetës, madhështitë e rreme, fjalët, zemërimit të yjeve, ziliqarit të fshehur, dashurive të vona, poetët që për këta të fundit thotë se “…kur marrin përpara gotën / kujtojnë se në dorë e kanë gjithë botën…”.

Poeti Basir Bushkashi, i cilësuar nga kritika si poeti i aromave të shpirtit, një poet liriko-filozofik ku me vargjet e tij çmon mbi të gjitha Njeriun, edhe në librin “Përditë shoh malet…” , shkruan për njerëz të tillë si Pjetër Budi, Havzi Nelaj, Dëshira Bushkashi, nënën e Tij Teje, motrën Nade, Xhevat Beqaraj, Nikolla Spathari, Jorgo Papingji, Amadeo Baçi, Agim Bajrami, Ali Muça, Josif Sadiku, Xhevahir Spahiu, etj., duke na bindur se në poezinë e tij, nuk kufizohet vetëm në përshkrime estetike, por ka për mision të ndriçojë thellësitë shpirtërore të individit. 

Libri mbyllet me recensionin e poetit dhe studiuesit Mevlud Buci mbi vëllimin e parafundëm poetik  të Bushkashit “Kumbimet e vona” që e konsideron një libër meritor poetik.

Ashtu si dhe për një seri librash të fundëm të Bushkashit edhe  për librin e ri, “Përditë shoh malet…”, vijojnë të kontribuojnë për kurimin e botimeve letrare të tij; redaktori Kujtim Stana, recensenti Gegë Tusha, dhe Kopertina Artan Kurti.

Hapja e tunelit me 14 Mars, Shehu: edhe segmenti Herebel – Peshkopi përfundon në të njëjtën ditë

  Pak ditë më parë gjatë një inspektimi në tunelin e Murrizit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku njoftoi se tuneli i Murrizit, një ndër veprat më të rëndësishme të rrugës së Arbrit do të hapet për qarkullimin e automjeteve me datë 14 Mars. Ndërkohë, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu thotë se në të njëjtën ditë do të përfundojë edhe loti i tretë i rrugës së Arbrit nga fshati Herebel deri në qytetin e Peshkopisë. Shehu shtoi se me përfundimin e këtyre dy veprave të fundit të rrugës së Arbrit, banorët e Dibrës por jo vetëm, do të shkurtojnë distancën me Tiranën.

Aktualisht në tunelin e Murrizit po bëhen punimet e fundit si vendosja e ndriçimit dhe sinjalistikës, asaj horizontale dhe vertikale.

Bulqizë, banesat përfshihen nga flakët, dy familje në qiell të hapur

Dy familje kanë mbetur në qiell të hapur pasi banesat e tyre që ndodheshin në të njëjtën çati u përfshinë nga flakët mbrëmjen e kaluar.

Ngjarja ndodhi në fshatin Fushë Bulqizë, ku sipas familjarëve zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike rreth orën 19:00. Në momentin e zjarrit, në banesë nuk ka patur njeri ndërsa familjarët janë njoftuar nga fqinjët. Latif Doga shprehet se zjarri ka nisur nga një shkëndijë elektrike në katin e dytë të banesës. Ai thotë se asgjë nuk ka shpëtuar pa u djegur, ndërsa ka mbetur në mëshirë të fatit dhe do të jetojë në rrënojat e mbetura nga zjarri. Ai i bën apel institucioneve që ta mbështesin dhe të dalë përgjegjësia e shkatimit të zjarrit.

Edhe banesa e Elidon Dogës është shkrumbuar e gjitha nga flakët. Vetë ai shprehet se 6 anëtarët e të dyja familjeve kanë mbetur në qiell të hapur dhe se nuk kanë ku të jetojnë. Ashtu si Latifi, edhe Elidon bën apel për ndihmë në këto momente të vështira me të cilat po përballet familja e tij.

Ndërkohë, djegies nga zjarri nuk i ka shpëtuar asgjë edhe pse aty ka mbërritur mjeti zjarrfikës. Për të llogaritur dëmet e shkaktuara pranë familjeve Doga kanë shkuar specialistët e Mbrojtjes Civile të Bashkisë Bulqizë, ku pritet të hartojnë raportin ekonomik në ditët në vijim

Ekonomi/ Profesionet e lira nuk “shpëtojnë” nga tatimi

Profesionistët e lirë që iu gëzuan rrëzimit të pjesshëm të ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe i shpëtuan tatimit deri në 23% në vitin 2024, këtë vit do të duhet të paguajnë njësoj si të punësuarit (pasi u zbriten shpenzimet), nëse 80-90% të të ardhurave të tyre i kanë nga më pak sesa 3 klientë.

Ata do të preken nga një nen tjetër i ligjit që nuk u shfuqizua, i cili parashikon që të vet-punësuarit e profesioneve të lira që sigurojnë 80% të të ardhurave bruto nga 1 klient apo 90% të tyre nga më pak se 3 klientë, do t’u tatohen të ardhurat neto (fitimi pas zbritjes së shpenzimeve) me normat e të ardhurave nga punësimi nga 13 deri 23%.

Administrata tatimore nëpërmjet një mesazhi dërguar subjekteve ka sqaruar se detyrimi për deklarimin dhe llogaritjen e tatimit nis nga 1 janari 2025. Për këtë kategori tatimi për t’u paguar do të llogaritet për efekt të periudhës tatimore 2024. “Ju bëjmë me dije se më datë 04.02.2025 nga Ministria e Financave është publikuar udhëzimi, të cilin e gjeni në atach, ku në pikën 3 të Udhëzimit deklarohet se të ardhurat e realizuara nga të vetëpunësuarit me 80% të të ardhurave nga i njëjti klient, do të konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe do të tatohen 13 dhe 23% sipas limiteve.

Zbatimi i udhëzimit të Ministrisë së Financave është nga viti 2025 e në vazhdim dhe i takon të gjithë rrjetit të shitjes që deklaron të ardhura nga komisionet bazuar në faturat fiskale të shoqërisë”, thuhet në njoftimin e tatimeve dërguar bizneseve.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikonte të niste zbatimin nga 1 janari 2024 me profesionet e lira, duke iu tatuar fitimin në normat 15 dhe 23%.

Por pas debateve të shumta që shkaktoi moszbatimi korrekt i ligjit, pasi bizneseve ofrues të shërbimeve të lira nuk iu njohën shpenzimet në masën 30% në llogaritjen e parapagimit të tatimit, më 27 Qershor 2024, Gjykata Kushtetuese, morri vendimin për rrëzimin e nenit 69, që parashikonte nisjen e tatimit 15% te profesionet e lira nga 1 janari 2024, duke vendosur për fillimin e zbatimit të tij nga viti 2029, njësoj si bizneset e tjera. Sipas këtij vendimi ata biznese që kanë të ardhura deri në 14 milionë lekë nuk do paguajnë tatim. Ndërsa ata që marrin mbi 14 milionë lekë do të tatohen 23%.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbeti i pandryshuar zbatimi i ligjit për profesionet e lira të cilat 80 deri 90% të të ardhurave bruto i siguronin nga 1 deri në 3 klientë. Për këtë kategori të vetëpunësuarish ligji parashikon tatimin e të ardhurave me normat e punësimit 13 dhe 23%, pas zbritjes së shpenzimeve.

Çfarë parashikon udhëzimi për tatimin e të vet-punësuarve me 80-90% të ardhurave deri në 3 klient?

Në shembujt që jepen te udhëzimi i ndryshuar “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin e përgjithshëm nr. 26, datë 8.9.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” u botua në Fletoren Zyrtare pak ditë më parë.

Përcaktohet se të ardhurat bruto do të tatohen me normat nga 13 deri në 23%, pasi t’u zbriten shpenzimet e biznesit.

Shpenzimet janë të deklaruara ose në rast se të ardhurat vjetore janë deri në 10 mln lekë, i vetëpunësuari ka të drejtë të zgjedhë njohjen e shpenzimeve apriori në masën 30%.

Po ashtu do t’i llogariten si zbritje shpenzimesh në vlerën 48 mijë lekë në vit kur individi i punësuar ka një fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe ka të ardhurat vjetore më të larta të tatueshme në familje.

Si dhe t’u njihet zbritja e shpenzimeve të përcaktuara në pikën e të nenit 22 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” që përcakton zbritje nga baza tatimore “një shumë prej 360 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720 000 lekë, ose një shumë prej 30.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 60.000 lekë”.

Në përfundim norma tatimore për llogaritjen e tatimit të fitimit do të jetë nga 13% për fitimin deri në 2,040,000 lekë dhe 23% mbi 2 040 000 lekë./MONITOR

Ndotja nga mbetjet inerte, Bashkisë Bulqizë i del situata jashtë kontrollit

Bashkia e Bulqizës vijon të mos ketë një venddepozitim të mbetjeve inerte që dalin nga ndërtimet apo rikonstruksionet e objekteve të ndryshme në territorin e saj. Situata më kritike mbetet në fshatin Gjoricë e Poshtme, ku shtrati i zallit të Bulqizës vijon të mbushet me inerte që nuk dihet ende se nga kush janë hedhur.

Fakti që kjo zonë vijon të ndotet tregon qartë se institucioni vendor përgjegjës për ruajtjen e territorit nuk vepron. Grumbujt me inerte të ndryshme sa vijnë e shtohen, ndërsa nuk ka asnjë masë për largimin e tyre, apo gjetjen e fajtorëve.

Siç duket nga pamjet, shumë prej grumbujve të inerteve janë krijuar kohët e fundit edhe pse ky shqetësim është ngritur disa herë nga banorët e zonës në media.

Ndotësit shfrytëzojnë rrugën e Arbrit e cila kalon fare pranë shtratit të zallit të Bulqizës për të hedhur ndoshta në fshehtësi mbetjet që i prodhojnë nga rikonstruksionet e objekteve të ndryshme.

Por fakti se ato depozitohen në fshehtësi qoftë edhe natën, nuk do të thotë se nuk mund të pikasen nga institionet vendore apo ata qëndrore në nivel vendor që kanë në fokus të veprimtarisë së tyre edhe mbrojtjen e mjedisit.