Poeti matjan Basir Bushkashi, tashmë një penë e afirmuar në sferën e letërsisë shqipe, më 1 mars festoi ditëlindjen e 72 të tij, dhe e ka bërë traditë që me këtë rast lexuesve të shumtë të tij tu bëjë dhuratë një vëllim të ri poetik. Ai befason këtë herë me librin e 19 të tij, “Përditë shoh malet…”, një titull ky që bart një domethënie të thellë simbolike dhe filozofike.
Pena bushkashiane në këtë libër të ri me poezi, “Përditë shoh malet…” , një kopje të të cilët e ka përcjellë me shumë konsideratë pranë “Mat Televizion”, dëshmon edhe njëherë se muza artistike e Basir Bushkashit nuk njeh as moshë, as lodhje. Poezitë e tij vijojnë të jetë në linjën e muzës origjinale, përgjithësisht të shkurtra, por mesazhpërcjellëse të fuqishme, të ndërtuara bukur artistikisht, e që di të rrëmbejë zemrat e mendjet e lexuesve të një shkalle të gjerë.
Bushkashi nuk resht së shkruari edhe në këtë libër për përmallimin e lumit, kumbullën e bardhë, brengat e jetës, madhështitë e rreme, fjalët, zemërimit të yjeve, ziliqarit të fshehur, dashurive të vona, poetët që për këta të fundit thotë se “…kur marrin përpara gotën / kujtojnë se në dorë e kanë gjithë botën…”.
Poeti Basir Bushkashi, i cilësuar nga kritika si poeti i aromave të shpirtit, një poet liriko-filozofik ku me vargjet e tij çmon mbi të gjitha Njeriun, edhe në librin “Përditë shoh malet…” , shkruan për njerëz të tillë si Pjetër Budi, Havzi Nelaj, Dëshira Bushkashi, nënën e Tij Teje, motrën Nade, Xhevat Beqaraj, Nikolla Spathari, Jorgo Papingji, Amadeo Baçi, Agim Bajrami, Ali Muça, Josif Sadiku, Xhevahir Spahiu, etj., duke na bindur se në poezinë e tij, nuk kufizohet vetëm në përshkrime estetike, por ka për mision të ndriçojë thellësitë shpirtërore të individit.
Libri mbyllet me recensionin e poetit dhe studiuesit Mevlud Buci mbi vëllimin e parafundëm poetik të Bushkashit “Kumbimet e vona” që e konsideron një libër meritor poetik.
Ashtu si dhe për një seri librash të fundëm të Bushkashit edhe për librin e ri, “Përditë shoh malet…”, vijojnë të kontribuojnë për kurimin e botimeve letrare të tij; redaktori Kujtim Stana, recensenti Gegë Tusha, dhe Kopertina Artan Kurti.