Ndotja nga mbetjet inerte, Bashkisë Bulqizë i del situata jashtë kontrollit

0
30

Bashkia e Bulqizës vijon të mos ketë një venddepozitim të mbetjeve inerte që dalin nga ndërtimet apo rikonstruksionet e objekteve të ndryshme në territorin e saj. Situata më kritike mbetet në fshatin Gjoricë e Poshtme, ku shtrati i zallit të Bulqizës vijon të mbushet me inerte që nuk dihet ende se nga kush janë hedhur.

Fakti që kjo zonë vijon të ndotet tregon qartë se institucioni vendor përgjegjës për ruajtjen e territorit nuk vepron. Grumbujt me inerte të ndryshme sa vijnë e shtohen, ndërsa nuk ka asnjë masë për largimin e tyre, apo gjetjen e fajtorëve.

Siç duket nga pamjet, shumë prej grumbujve të inerteve janë krijuar kohët e fundit edhe pse ky shqetësim është ngritur disa herë nga banorët e zonës në media.

Ndotësit shfrytëzojnë rrugën e Arbrit e cila kalon fare pranë shtratit të zallit të Bulqizës për të hedhur ndoshta në fshehtësi mbetjet që i prodhojnë nga rikonstruksionet e objekteve të ndryshme.

Por fakti se ato depozitohen në fshehtësi qoftë edhe natën, nuk do të thotë se nuk mund të pikasen nga institionet vendore apo ata qëndrore në nivel vendor që kanë në fokus të veprimtarisë së tyre edhe mbrojtjen e mjedisit.