Dinamo e do me çdo kusht edhe një tit ull para rikthimit në Kategorisë Superiore. Skuadra po vazhdon përgatitjet intensive për Egnatian, finale që do ta luajë të shtunën në “Elbasan Arena”. Është një duel prestigji, megjithatë blutë nuk kanë në plan që ta falin. Këtë e thotë edhe Edvan Bakaj gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”. Portieri rrëfen se rrugëtimi në inferiore ishte tejet i vështirë e plot pengesa, por puna e madhe që është bërë nga klubi, stafi dhe vetë lojtarët në fund u shpërblye. Gardiani e ka thënë edhe më herët hapur që dëshiron të rinovojë, ndaj edhe deklaron se do të pretendojë direkt trofe në sezonit 2021-2022.

Si ishte ky sezon për Dinamon?

Ishte një sezon mjaft i vështirë, por ditëm që të kalonim me sukses çdo pengesë, derisa jemi këtu.

A e ndiet ndonjëherë frikën se mund të mos ngjiteshit në elitë?

Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe me shumë pengesa, por asnjëherë s’e kishim vënë në dyshim që mund të mos ia dilnim. Kjo ishte një bindje që mbizotëroi te ne si grup.

Cila ka qenë ndeshja që ju ka dhuruar më shumë emocione? Po ajo që keni vuajtur më shumë?

Ndeshjet kanë qenë të gjitha të vështira nga java e parë e deri në finish, por emocionuese ishte ajo që “vulosi” matematikisht kthimin në Kategorinë Superiore.

Si e njihni ekipin e Egnatias?

Egnatian e njoh, pasi shumica e lojtarëve kanë luajtur në Superiore. Gjithsesi, do të jetë një ndeshje e luftuar dhe prestigji, të cilën pa dyshim ne duhet ta fitojmë.

Nëse humbisni finalen, a ka vend për pezmatim?

E rëndësishme është që u rikthyem në Superiore, misionin e arritëm.

Cilat janë pritshmëritë e Dinamos nga elita? Sa mund të arrijë ajo?

Pritshmëritë e Dinamos dihen, pasi është një ekip i madh dhe me traditë në futbollin shqiptar. Pas 9 vitesh do të luajmë në ekip dhe jam plotësisht i sigurt që Dinamo do të rikthehet po aq e fortë sa ka qenë, duke luftuar për trofe.