Policia rrugore Dibër, mbi 2500 ndëshkime për 3 javë
Policia Rrugore e Dibrës ka vazhduar kontrollet për të rritur parametrat e sigurisë në rrugë. Kontrollet janë përqendruar në rrugën e Arbrit, si arteria kombëtare me fluksin më të lartë të lëvizjes. Si rezultat i monitorimit, gjatë periudhës 01–21 shtator 2026, janë arrestuar 4 shtetas dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë 1 tjetër, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor". Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 2,506 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht: 523 masa për parakalime të gabuara, 14 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 395 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 45 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 265 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 28 masa për qarkullim me xhama të riveshur, 847 masa për ndalim/qëndrim të gabuar, 389 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor. Policia rrugore e Dibrës po monitoron edhe qendrat urbane që, tashmë me fillimin e vitit të ri shkollor, kujdesi nga drejtuesit e mjeteve duhet të jetë më i madh.