Fshati Pocest është ndër fshatrat më piktoresk të Maqellarës në Dibër. I vendosur në shpatin e malit të Kërçinit, ky fshat ka resurse të jashtëzakonshme për zhvillimin e bujqësisë. Mirëpo, banorët që jetojnë aty thonë se po përballen me probleme të shumta të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje në këto 30 vite demokraci. Sipas banorëve, në fshat mungon uji i pijshëm jo se nuk ka ujësjellës, por që rrjeti i tij nuk mbulon nevojat e fshatit për të pirë, pasi tubacionet janë në dimensione të vogëla, edhe pse burimet në malin e Kërçinit kanë sasi të mëdha uji. Banorët shprehen se për të rritur sasinë e ujit kanë investuar edhe vetë, por që nuk ja kanë dalë dot mbanë për shkak të kostos së madhe ekonomike. Bashkia, thonë banorët, solli tuba me dimensione të mëdha pak para zgjedhjeve, por sot nuk dijnë çfarë është bërë me ta.

Situatë e ngjashme sipas banorëve është edhe me ujin vaditës. Ata shprehen se mungesa e mjaftueshme e ujit ka bërë që të mos punohen më tokat dhe të mbeten djerr.

Banorët e fshatit Pocest kërkojnë që të rikthehet vëmendja edhe tek ata në mënyrë që të mos ketë braktisje masive të tij siç ka ndodhur në shumë fshatra të tjerë.