Ndërtimi i rrugës së Arbrit përmes fshatit Plan i Bardhë në Bashkinë e Klosit, u mendua si një mundësi që banorët të cilët e kanë braktisur prej shumë vitesh të rikthehen. Por edhe pse ka kaluar shumë kohë që kur kjo rrugë është vendosur në funksion, në fshat nuk ka asnjë të rikthyer. Hasan Alsula thotë se rruga nuk i ka joshur të larguarit pasi në fshat mungojnë shërbimet e tjera bazike për jetesë. Mungesa e ujit vaditës gjatë stinës së verës është një problem shumë i madh me të cilin banorët përballen prej afro 3 dekadash. Sipas tij, nuk ka asnjë shpresë që të larguarit të vijnë qoftë edhe të investojnë në fshat për shtëpi pushimi, pasi për tu rikthyer për të jetuar, as që mendohet.

Largimi i banorëve nga fshati Plan i Bardhë ka ndodhur që me ndërtimin e traverbankut të Shëngjunit, një tunel ky që nis në Bulqizë e përfundon në Klos. Nga hapja e këtij tuneli kanë shterruar burimet ujore të fshatit Plan i Bardhë, duke bërë që ky i fundit të mbetet në të thatë.