Prej afro një jave vendi ynë është përfshirë nga një mot i paqëndrueshëm ku pothuajse çdo ditë ka patur reshje shirash, qoftë me intensitet të ulët e me të lartë. Por ulja e vazhdueshme e temperaturave është shoqëruar edhe me reshje dëbore, kryesisht deri në 900 metra mbi nivelin e detit.
Sipas specialistëve të bujqësisë, temperaturat e ulëta kanë mbajtur mbërthyer edhe shpërthimin e gjelbërimit. Megjithatë, sipas tyre, këto reshje do të ndikojnë pozitivisht në bujqësi, për shkak të thatësirës së tejzgjatur të muajve të parë të këtij viti.
Sinoptikanët parashikojnë që kjo situatë të zgjasë edhe për disa ditë të tjera, ku reshjet e shirave mendohet të jenë prezente në të gjithë vendin ndërsa në lartësitë mbi 1 mijë metra mbi nivelin e detit, të ketë reshje dëbore.
Përmirësimi i motit pritet të ndodhë në gjysmën e dytë të këtij muaji ku pritet të ketë rritje të ndjeshme të temperaturave.