Një minator u plagos këtë të enjte në njërën prej galerive private të kromit, në Martanesh.

Policia bën me dije se aksidenti ndodhi në zonën e Batrrës në Martanesh, ku një 52-vjeçar që punonte si armator ka marrë plagë pas shkëputjes së gurëve nga tavani i galerisë. Paraprakisht dyshohet se minatorin me inicialet O.H e kanë goditur gurët duke e dëmtuar në këmbë.

Ndërkohë, fillimisht ishin kolegët e turnit ata që ndërhynë për shpëtimin e 52-vjeçarit dhe më pas u dërgua në spitalin e Bulqizës ku edhe po merr ndihmën e parë nga mjekët.

Për fat të mirë, minatori është jashtë rrezikut për jetën dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha.

Materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.

Ky është aksidenti i parë që raportohet për vitin 2024 në galeritë e kromit në zonën e Bulqizës, ndërsa edhe në vitin e kaluar aksidente të tilla ka patur në galeritë e minierës së Bulqizës, por që fatmirësisht kanë qenë pa humbje jete njerëzore.