PIKTORI BLEDAR ÇAKALLI SHTON EDHE DY MURALE TË TJERA TEK URA E BULQIZËS

PIKTORI BLEDAR ÇAKALLI SHTON EDHE DY MURALE TË TJERA TEK URA E BULQIZËS

Piktori Bledar Çakalli, i cili ka spikatur për realizimin e pikturave murale dhe grafiteve me motive patriotike dhe historike kombëtare në mbarë Shqipërinë, është rikthyer tek ura që lidh dy lagjet e qytetit të Bulqizës. Krahas portreteve të figurave të shquara të kombit shqiptar, Çakalli ka shtuar edhe dy figura të tjera patriotike. Portreti i Shkëlzen Haradinajt dhe Komandant Teli. Shkëlzen Haradinaj ishte komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, ra dëshmor më 16 prill 1999 në Malet e Maznikut, duke mbrojtur civilët shqiptarë nga sulmi serb, dhe pas vdekjes u shpall Hero i Kosovës. Ndërsa Komandant Teli (Lefter Koxhaj), nga Skrapari, ishte një ndër dëshmorët e shquar të luftërave çlirimtare shqiptare, duke luftuar në Kosovë dhe më pas duke drejtuar njësinë speciale "Teli 69" të UÇK-së në Maqedoni, ku dhe u vra më 7 gusht 2001 nga forcat speciale maqedonase, duke mbetur simbol i qëndresës dhe sakrificës kombëtare. Sipas piktorit këto dy figura i kanë bërë nder jo vetëm Kosovës e Maqedonisë së Veriut por mbarë kombi shqiptar me aktet e tyre heroike. Çakalli thotë se ky është më shumë një mision se sa një punë pasi nuk ka marrë mbështetje nga institucionet vendore apo qëndrore. Piktori Bledar Çakalli, i lindur në Dibër dhe aktualisht i vendosur në Durrës, është bërë një figurë e dashur për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, falë veprave të tij të fuqishme që përjetësojnë heronjtë e kombit shqiptar dhe ngjarjet historike më kyçe.