Qytetarët e Peshkopisë po përballen me temperatura shumë të ulta në dy ditët e fundit. Mbrëmjen e së premtes termometri zbriti deri në -10 gradë Celsius duke bërë që gjithçka të ngrijë në akull. Por banorët e këtij qyteti verilindor po përballen edhe me një fenomen tjetër. Ata të cilët frekuentojnë bulevardin “Elez Isufi” tashmë u bie të shëtisin mbi akull, pasi Bashkia Dibër nuk ka marrë asnjë masë për heqjen e tij. Lëvizja në këtë bulevard është problem për moshën e tretë dhe fëmijët të cilët rrezikojnë të rrëshqasin dhe të lëndohen..
Por sipas specialistëve të ndërtimit përdorimi i kripës për të shkrirë akullin në bulevardin “Elez Isufi” është i pamundur pasi dëmtohen pllakat me të cilat është shtruar. Edhe futja e borëpastrueseve ka qenë e pamundur, ndërsa mundësia e vetme për të hequr borën nga aty ka qenë me krah, por siduket pushteti vendor aty as këtë nuk e ka bërë.
Situatë problematike paraqitet edhe në Njësinë Administrative Zall-Dardhë në Bashkinë e Dibrës, ku prej ditësh banorët janë pa ujë të pijshëm. Me uljen e ndjeshme të temperaturave, rrjeti i ujësjellësit nuk ka funksionuar duke bërë që banorët të mos kenë ujë në çesmat e tyre. Po ashtu rrugët janë të pakalueshme për shkak të prezencës së madhe të akullit.