Daljet masive të qytetarëve po ndodhin edhe në Bulqizë e Peshkopi. Në këtë të fundit ata kanë vijuar si në një ditë normale shëtitjet në bulevardin “Elez Isufi”. Të shumtë ishin ata që e shfrytëzuan orarin e paradites deri në orën 13:00 për të shëtitur e jo ashtu siç dhe e parashikojnë udhëzimet e dhëna nga institucionet shtetërore. Në rrugë ishin të rinjë e të moshuar, pjesa më e madhe e tyre pa masa mbrojtëse duke krijuar grumbuj njerëzish. Në disa raste policia këshillonte qytetarët, por situata vijoi e njëjtë deri në orën 13:00. Në Bulqizë u krijuan radhë të mëdha në banka. Është dashur ndërhyrja e uniformave blu që qytetarët që prisnin në radhë të respektonin distancën minimale të paktën 1.5 metra nga njëri – tjetri. Por në rrugë situata ishte krejt ndryshe pasi qytetarët lëvizinin në grupe të mëdha, madje ngjitur. Ashtu si në çdo qytet, pas orës 13:00 të gjithtë qytetarët u futën në banesa e bizneset ulën qepenat.