Plot 845 mijë euro u investuan në rehabilitimin e bulevardit “Elez Isufi” në qytetin e Peshkopisë në kuadër të programit të qeverisë shqiptare, “Rilindja Urbane”. Investimi nisi në fillim të vitit 2016 kur në krye të Bashkisë së Dibrës ishte Shukri Xhelili. Ndërkohë investimi përfundoi kur bashkia drejtohej nga Muharrem Rama. Tashmë që kanë kaluar afro katër vite nga ky investim i cili kalon shifrën e 1 miliard lekëve të vjetra dhe që është në një gjatësi prej afro 600 metra linerare, pllakat dekorative të përdorura kanë dalë pothuajse jashtë funksionit. Qytetarët e Dibrës shprehen se problemi më i madh është gjatë stinës së dimrit, ku dhe krijohet akull mbi to. Po ashtu, ata thonë se materiali i përdorur nuk është rezistent ndaj ngricës dhe temperaturave të ulta. Thyerja e shumë prej pllakave ka vështirësuar lëvizjen e të moshuarve të cilët mund të rrëzohen nëse nuk janë të kujdesshëm.
Bulevardi “Elez Isufi” në qytetin e Peshkopisë është përdorur gjithonë si pedonale për banorët e këtij qyteti, ndaj dhe dëmtimi i tij ka krijuar probleme gjatë lëvizjes së qytetarëve.