Kalimi në rrugën nacionale Burrel – Skuraj vijon të jetë i rrezikshëm sidomos në segmentin e Shkopetit. Rënia e gurëve të mëdhenj në rrugën rrezikon përdoruesit e saj sidomos në orët e para të mëngjesit. Masive gurësh përfundojnë në asfalt sidomos në ditët me shi, pasi nuk ka asnjë mbrojtje shpati i malit.
Në mungesë të rrjetave apo mureve mbrojtëse shkëmbinjt biejnë në rrugë duke rrezikuar jetën e drejtuesve të mjeteve dhe udhëtarëve. Drejtuesit që përdorin këtë rrugë shprehen se kanë frikë të lëvizin në këtë aks sidomos gjatë orëve të para të mëngjesit pasi përballen me befasi të gurëve në rrugë. Ata shprehen se si të mos mjaftonin gurët, e gjithë rruga ka mungesë të sinjalistikës dhe barrierave mbrojtëse anësore.
Një problematikë e shtuar e këtij aksi është edhe tuneli i madh i Shkopetit, nga i cili gjatë stinës së dimrit rrjedh një sasi e madhe e ujit. Kjo bën që në temperatura shumë të ulta, aty të ketë prezencë të madhe të akullit. Rruga nacionale Peshkopi – Burrel – Skuraj përdoret nga qindra mijëra banorë të Qarkut Dibër, Maqedinsë së Veriut e më gjerë.