Komiteti i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it Mat, në bashkëpunim me Kryesinë e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut si dhe me Këshillin Zonal të Organizatave të Veteranëve në Bashkinë Klos, zhvilluan një takim përkujtimor pranë lapidarit të Zoje Çurre në fshatin Shkallë të Njësisë Administrative Xibër, në kuadër të 75 vjetorit të rënies së saj në luftë kundër nazizmit. Takimin e hapi kryetari i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it Mat, Rrahman Beshku. Për jetën dhe historinë e heroinës Zoje Çurre foli historian Sefer Duka, njëherësh n/kryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it Mat. Ndërkohë në këtë takim përkujtimor morën pjesë edhe banorë të fshatit Shkallë në Njësinë Xibër të Bashkisë së Klosit, ndër ta edhe intelektuali Kasem Muça. Pas ceremonisë zyrtare, pranë lapidarit të Zoje Çurre organizatorët vendosën një kurorë me lule. Po ashtu në këtë takim, për herë të parë u deklarua se në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend ka rënë edhe partizani me kombësi italiane Petro Pasquale Benedetto, i cili me vendim të Kryesisë së Këshillit të Ministrave në vitin 1990 është shpallur dëshmor i rënë në luftën kundër Nazi-fashizmit. Gjithashtu nga ky takim përkujtimor, banorët e fshatit Shkallë të Xibrit morën përsipër ndërtimin e një lapidari të ri për dëshmoren Zoje Çurre.