Është përkujtuar nëpërmjet një ceremonie të veçantë 77 vjetori i rënies së heroinës Zonja Çurre në luftën kundër okupatorëve të huaj të vitit 1944. 24 vjeçarja Zonja Çurre, zv/komandante e kompanisë së parë të batalionit katërt të Brigadës V Sulmuese, oficere me gradën aspirante të dhënë nga Kongresi i Përmetit, u vra gjatë luftimeve të Korrikut të vitit 1944 në vendin e quajtur Qafë Shkalle të Xibrit, ku në nderim të saj është ndërtuar edhe një lapidar. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it Mat, Besim Balliu, përfaqësues të Bashkisë Klos si zëvendëskryetarja Adelina Laçi e banorë të zonës. Në emër të Organizatës përshëndetën nënkryetari i kësaj organizate Besim Balliu dhe sekretari Selman Kurti.