Në kuadër të aktiviteteve që po organizohen për nder të 75 vjetorit të çlirimit të vendit, Zyra Vendore Arsimore Mat, Drejtoria e Shkollës 9-vjeçare “Ali Metra” Komsi, Organizata e Veteranëve të LANÇ-it Mat e ajo e familjeve të dëshmorëve, me mbështetjen e Bashkisë Mat zhvilluan një aktivitet kushtuar dëshmorit Ali Metra. Aktiviteti u zhvillua në të njëjtën datë kur Ali Metra nga fshati Gërman, efektiv në batalionin partizan “Mati” në përbërje të brigadës së 23 sulmuese ra dëshmorë gjatë luftimeve me nazistët gjerman. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it Mat, Sefer Duka tha se dëshmori Ali Metra ishte shembull në luftën për liri.
Në këtë aktivitet përshëndetën edhe zëvendëskryetari i Bashkisë Mat, Myslym Zeneli dhe Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Mat, Shpresa Tusha.
Ndërkohë drejtoresha e shkollës “Ali Metra”, Komsi, Hasie Ramlikaj i dhuroi familjes një punim të bërë nga vetë nxënësit. Në emër të familjes foli edhe Ibrahim Metra e përshëndetën edhe ish nxënës të kësaj shkolle.
Aktiviteti u shoqërua edhe me interpretime artistike nga nxënësit si dhe këngëtari i mirënjohur matjan, Shkëlqim Farrici.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe nënprefekti i Matit, Hasan Pasha, drejtues institucionesh në Mat si dhe banorë të zonës.