Është zhvilluar të mërkurën e 31 korrikut ceremonia përkujtimore e ngjarjes më të rëndësishme në historinë së luftës së popullit matjan, ajo e kryengritjes mbarëpopullore e vitit 1943 kundër pushtuesit fashist. Në nderim të atyre që iniciuan dhe zhvilluan këtë Kryengritje, u mbajt një aktivitet përkujtimor pranë Muzeut Historik Mat me praninë e drejtuesve të Bashkive Mat e Klos, Agron Malaj e Valbona Kola, të deputetes Aurora Mara, të nënprefektit të Matit Hasan Pasha dhe të drejtuesve të tjerë të institucioneve qëndrore e shoqatave në nivel vendor e lokal. Fjalën e rastit, në përkujtim të 81-vjetorit të kryengritjes popullore matjane 31 korrik – gusht 1943, e mbajti Përgjegjësja e Sektorit të Turizmit, Trashëgimisë Historike dhe Arkeologjike pranë Bashkisë Mat, Suzana Kurti.

Ndërsa në emër të Komitetit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, dega Mat, përshëndeti kryetari Sefer Duka.

Në fund u bë ceremonia e vendosjes së kurorave me lule pranë obeliskut që simbolizon kryengritjen mbarëpopullore matjane që nisi më 31 Korriku të vitit 1943 nga përfaqësues institucionesh dhe organizatat me në fokus luftën nacionalçlirimtare.