Shit-blerja e votës në Dibër, ish deputetja Dhurata Çupi: Unë dhe PD e denoncuam, prokuroria heshti
Ish deputetja e Partisë Demokratike në Qarkun Dibër, Dhurata Çupi në një status në rrjetin social Facebook thotë se zgjedhjet në Dibër, ato të pjesshmet e 2016 dhe ato parlamentare të 2017, janë manipuluar kriminalisht dhe kjo u faktua.
Sipas Çupit ajo vetë dhe PD e kanë denoncuar fenomenin që atëherë, por prokuroria në vend që të vepronte, zgjodhi të heshtë.
Statusi i plotë i Çupit në profilin e saj në Facebook.
BILD rrëzon sistemin kriminal shtetëror të blerjes dhe shantazhimit të votës në Dibër
Jo vetëm që u manipuluan, por u vodhën e grabitën dhe u kërcënuan dibranët në zgjedhje.
Përballë një strukture kriminale të mirëorganizuar, ku shqiptarët ishin të pambrojtur, vota për opozitën, për cdo familje dibrane ishte sfidë ndaj kësaj strukture.
Këtë realitet e kam prekur vetë gjatë fushatës së 2017, ku banorët e kësaj zone ishin të shantazhuar e tregonin se sa frikë kishin të mos merrnin pjesë në zgjedhje dhe të mos deklaronin hapur votën e tyre. Mirënjohëse të gjithë atyre dibranëve që përballë këtij revanshi dhe shantazhesh kanë votuar me bindje alternativën tonë. Mirëkuptoj edhe të gjithë ata të shantazhuar që nuk kanë mundur të votojnë të lirë pasi janë detyruar të mbrojnë familjet dhe bukën e gojës së tyre. Ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e pjesshme lokale të 2016, dhe në zgjedhjet parlamentare të 2017, ishte qartazi kriminalizim i votës së dibranëve.
Unë e kam denoncuar që në fillim, Partia Demokratike e ka denoncuar kriminalizimin e votës, u desh të dilnin përgjimet e Bild për vërtetuar gjithcka ne kemi thënë, pasi organi i akuzës ka heshtur për më shumë se dy vjet. Ajo cka ka ndodhur në Dibër në dy zgjedhjet e shkuara ishte akti i fundit i nje sistemi kriminal i ngritur në strukturën shtetërore. Ky sistem duhet dhe do të japë llogari përpara drejtësisë.
Opozita ka një betejë të pandalshme për të siguruar zgjedhje të lira.