Është mbyllur ndërtimi i murit mbrojtës në vendin e quajtur kthesa e Cerujës ku rrezikohej shembja e kanalit vaditës të Klosit. Ndërtimi i këtij muri mbrojtës është bërë nga dy bashkitë që përfshin kjo vepër vaditëse, Mat dhe Klos, ndërsa tashmë e gjithë sasia e ujit të nevojshëm është në kanal dhe në dispozicion të fermerëve për të vaditur.

Specialisti pranë Drejtorisë së Ujitjes së Kullimit Durrës, sektori i Matit, Basir Salaj tha se kjo ndërhyrje shpëtoi shembjen e kanalit vaditës në një gjatësi të konsiderueshme. Salaj tha se tashmë duhet bërë menaxhimi si duhet i ujit në mënyrë që të gjithë fermerët që përfshin kjo vepër vaditëse me rreth 24 kilometra gjatësi të kenë ujë për të mbjellat e tyre.

Kanali vaditës i Klosit është vepra më e madhe vaditëse në Mat, e cila përfshin qindra hektar tokë bujqësore.