Statusi i Sindikatës së minatorëve të bashkuar

KEMI PËRFUNDUAR MBLEDHJEN E FIRMAVE PËR KANDIDIMIN E ELTON DEBRESHIT

Të nderuar minatorë, qytetarë të Dibrës dhe dashamirës anekënd Shqipërisë!

Ju njoftojmë se pas katër javësh pune intensive është tejkaluar numri i nevojshëm i firmave për të zyrtarizuar kandidimin e pavarur të Elton Debreshit në zgjedhjet e 25 prillit.

Gjatë këtyre javëve jemi takuar me mijëra bashkëqytetarë, besimi dhe mbështetja e të cilëve na ka mbushur me shpresë. Ata nuk na kanë dhënë vetëm një firmë, por janë zotuar që së bashku ta çojmë deri në fund përpjekjen për miratimin e Statusit të Minatorit dhe vendosjen e Dibrës në qendër të vëmendjes shtetërore.

Kandidimi i një minatori të palodhur, sindikalisti të guximshëm dhe njeriu të ndershëm është risi jo vetëm për qarkun tonë, por për mbarë vendin. Zgjedhja e Elton Debreshit do të jetë një ditë historike, e cila do të tregojë se kur punëtorët dhe njerëzit e thjeshtë bashkohen asgjë nuk është e pamundur.

Në fund, nuk mund të mos falënderojmë të gjithë minatorët dhe qytetarët, si dhe aktivistët e Organizatës Politike, të cilët janë angazhuar së bashku në takime të panumërta për të mbledhur firmat e kandidimit.

MeEltonDebreshin