Nevoja për vaditjen e të mbjellave apo pemëve në këto ditë të nxehta korriku ka bërë që banorë të zonave periferike në Bulqizë të përdorin ujin e pijshëm për këto nevoja. Por kjo ka ndikuar direkt në furnizimin me ujë të të gjithë abonentëve që përfshin Ujësjellës-Kanalizime Bulqizë, duke ulur ndjeshëm sasinë e furnisimit me ujë të tyre. Nisur nga kjo, specialistët e Ujësjellës-Kanalizimeve Bulqizë kanë nisur kontrollet në të gjithë territorin ku dyshohet se uji i pijshëm përdoret për vaditje. Drejtorisë i UK Bulqizë, Asllan Daxha thotë se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj cilitdo që ujin e pijshëm e përdor për vaitje. Ai ju bën apel të gjithë abonentëve por kryesisht atyre që jetojnë ne periferi të Bulqizës, të mos abuzojnë në këtë drejtim pasi do të përballen me snaksionet ligjore në fuqi. Përdorimi i ujit të pijshëm për vaditje gjatë sitnës së verës, është një problematike e përsëritur çdo vit në Bulqizë, megjithë kontrollet e ushtruara nga ana e specialistëve të ujësjellësit.