Mati është nga dy lumenjtë që shkakton përmbytje në pjesën e Veriut të vendit.

Sipas një studimi fizibiliteti të zhvilluar pak kohë më parë u dol në përfundimin se nëse nuk bëhen përmirësimet e nevojshme, përmbytja do të prekte rreth 10,000 njerëz dhe do të shkaktonte mbi 11 milion Euro dëme. Një dokument i mbështetur nga Kuadri i Investimeve në Ballkanin Perëndimor që ofron asistencë teknike mbi projektin e infrastrukturës mbrojtëse jep opsionet për këtë.

“Projekti ndër të tjera do të mundësojë asistencë teknike të specializuar dhe profesionale në përgatitjen e dokumenteve teknike (dizajnin teknik) dhe dokumenteve të tenderit për MBZHR lidhur me rehabilitimin e argjinaturave ekzistuese në të dy anët e lumit Mat, në një gjatësi totale prej 15.5 km nga Ura e Zogut në lumin Mat në drejtim të detit Adriatik dhe do të sigurohet qe të gjitha aktivitetet të jenë në përputhje me legjislacionin kombëtar, kërkesat dhe standardet e BE-së dhe BEI-it, si institucioni financiar “sqarohet në dokument.

Një ndër opsionet është ai i “të mos bërit asgjë”, që nënkupton statusin e gjendjes ekzistuese. Opsioni tjetër konsiston në rehabilitimin e argjinaturave ekzistuese, duke rritur lartësinë dhe gjerësinë përgjatë gjurmës origjinale dhe opsioni i fundit konsiston në rehabilitimin e argjinaturave në një gjurmë të modifikuar për të mbrojtur disa ndërtesa në zonën e përmbytjes.

Dokumenti ka përcaktuar se variant më i mirë është kombinimi i dy opsioneve për projektin “Rehabilitimi i Infrastrukturës Mbrojtëse ndaj Përmbytjeve të lumit Mat. Në këtë rast do të thotë që do të kemi rehabilitim të argjinaturave veriore në gjurmën e re për Zonën A si dhe rehabilitim të argjinaturës jugore në gjurmën e re për tre zona të tjera.

“Opsioni i propozuar, do të mbrojë nga përmbytjet 17 ndërtesa banimi në Zonat A, B, C, dhe E, dhe 216.5 ha tokë bujqësore. Kosto totale e vlerësuar për këtë Opsion është 9.5 Milion Euro” thuhet në dokument.

Ndërhyrja në zonën e lumit Mat është e rëndësishme pasi në Veri dhe në Jug të grykëderdhjes së këtij lumi ndodhen dy Rezervate të Menaxhuara Natyrore, të Kategorisë IV sipas IUCN, përkatësisht Kune Vain Tale dhe Patok Fushëkuqe Ishëm.