Rruga e Krastës në gjendje të mjerueshme
Banorët e Krastës vijojnë të përballen me gjendjen e rënduar të rrugës që i lidh me Bulqizën. Aksi prej 18 kilometrash deri në Qafën e Buallit vijon të jetë problematik jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por dhe udhëtarët. Ata shprehen se në rrugë nuk është bërë asnjë investim i mirëfilltë për ta zgjidhur përfundimisht problemin. Sipas tyre, firma vetëm bën mirëmbajtje rutinë ndërsa gjendja e rrugës vijon të jetë simos më keq sidomos pas reshjeve të shirave. Më problem mbetet qarkullimi i mjeteve të vogëla ndërsa edhe ato të tonazhit të rëndë përballen me këtë situatë. Drejtuesit e mjeteve thonë se edhe pse paguajnë të gjitha taksat ndaj shtetit, ato nuk përkthehen në investime.
Sikur të mos mjaftonte gjendja e rëndë e rrugës, asaj i mungon e gjithë sinjalistika, përfshirë edhe barrierat mbrojtëse anësore. Kjo ka bërë që përgjatë këtij aksi të ketë një numër të madh lapidaresh për njerëzit që kanë humbur jetën në aksidente.