Gurët e rënë prej muajsh në segmentin e rrugës së Arbrit nga Qafa e Buallit deri tek Ura mes dy lagjeve të Bulqizës janë pastruar këtë të enjte.
Firma e cila ka fituar tenderin e mirëmbajtjes për katër vitet e ardhshme ka bërë të mundur largimin e gurëve që kishin mbushur kanalet kulluese anësore të këtij segmenti, ku si pasojë, të tjerë gurë përfundonin në asfalt duke rrezikuar përdoruesit e rrugës.
Ndërhyrja në këtë segement ka ardhur pas bërjes disa herë problem mediatik të pranisë së gurëve të cilët ishin kthyer në rrezik serioz për drejtuesit e mjeteve të cilët përballeshin në befasi.
Burime thanë se firma ende nuk e ka lidhur kontratën zyrtarisht me ARRSH por kjo e fundit i ka kërkuar që të pastrojë këtë segment rruge i kthyer në rrezik për të gjithë ata që lëviznin në drejtim të Bulqizës, Dibrës apo Maqedonisë së Veriut.
Nuk dihet se kur do të lidhë kontratën me Autoritetin Rrugor Shqiptar firma mirëmbajtëse pasi janë disa segmente të cilat kërkojnë ndërhyrje emergjente si në Klos – Qaf Buall, Maqellarë – Peshkopi dhe Burrel – Skuraj.