Pasi disa herë situata u bë mediatike, më në fund ka nisur pastrimi i territorit nga mbeturinat në Qaf Murrize. Punonjës të Drejtorisë së Shërbimeve të Bashkisë Klos, kanë kryer këtë të martë një aksion për pastrimin e zonës nga mbetjet që ishin hedhur pa kriter nga udhëtar apo pushues ditior.
Situata e krijuar nga mbeturinat në këtë zonë ishte kthyer në problem shqetësues për banorët e fshatit Xibër – Murrize të cilët kërkuan ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që konstatohen duke hedhur mbeturina në këtë zonë piktoreske.
Fushatat për ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mbajtur pastër mjedisin kanë qenë thuajse të paefektshme deri tani pasi me gjithë paralajmërimet për ndëshkime administrative, ndotja ka qenë e vazhdueshme thuajse në të gjitha rrugët nacionale. Deri tani, asnjë masë konkrete nuk është marrë për ndotësit të cilët nuk janë kontatuar nga autoritetet qoftë me aksione blic e qoftë me verifikime në forma të ndryshme.
Një tjetër aks problematik për Bashkinë e Klosit mbetet edhe ai nga ura e fshatit Fshat deri në Qafën e Buallit, kryesisht zona e njohur si Qaf Dushk.