Ndonëse e kemi trajtuar disa herë si fenomenin më negativ në vendin tonë, pasojat e ndotjes së mjedisit janë të dukshme kudo. Mbushja e liqenit të Ulzës në kuotat maksimale një muaj më parë dhe më pas zbrazja e tij, ka lënë në vend pirgje të mëdha me mbeturina. Këto pamje janë në fshatin rrethe Baz të Bashkisë së Matit, por jo vetëm kaq pasi të tillë e gjen në të gjithë vijën liqenore të liqenit të Ulzës.
Mbeturinat e grumbulluara nga e gjithë rrjedha e lumit Mat që në burim të tij, kanë përfunduar këtu, si një dhuratë për banorët që jetojnë përreth këtij liqeni. Vetë ata shprehen se kjo situatë është e përvitshme sa herë liqeni mbushet në të tillë nivel, mbeturinat mbeten aty pasi largohet uji. Banorët shprehen se ndotja është e tmerrshme dhe e rrezikshme për jetën e tyre, ndaj kërkojnë ndërhyrjen e instancave përgjegjëse për pastrimin e këtij territory tejet të ndotur.
Ndotja e mjedisit vijon të jetë sfida më e madhe në vendin tonë sidomos në zonat rurale, pasi shërbimi për tërheqjen e mbetjeve të ndryshme ofrohet në një masë të vogël ose aspak.