Prej dy vitesh në vendin tonë është shfaqur insekti i njohur si “Flutura Kineze”. Ky insekt është ndër grabitqarët më të mëdhenj të shkurreve të bushit që në latinisht njihet si Cydalima perspektalis.
Flutura shfaqet gjatë muajve të verës dhe sulmon piërisht këtë lloj shkurreje duke i ngrënë të gjithë gjethet. Ekspertët thotë se flutura e Bushit është një dëmtues shumë agresiv, dhe që shtohet me ritme të frikshme, gati me 300 herë brenda vitit. Kjo e bën atë shumë të rrezikshëm.
Flutura kineze ka prekur të gjitha masivet pyjore me Bush në Mat, duke i dëmtuar ato në mënyrë drastike. Megjithëse jemi në muajin e tretë të pranverës, shkurret e Bushit janë të thata dhe nuk ka shpresë për rigjenerim, pasi degët janë tharë afro deri në trungun e rrënjës.
Kjo ka bërë që megjithëse kjo është një pemë e gjelbërt gjithë vitin, të mos ketë gjelbërim. E vetmja shpresë deri tani ka mbetur dalja e ndonjë filize nga rrënjët e këtyre pemëve, por dhe frika e rikthimit të këtij insekti, bën që ai të vazhdojë të jetë në rrezik potencial për pyjet e Bushit.
Ndërkohë specialistët kanë nisur studimet për të gjetur një mënyrë për ta luftuar këtë insekt, por deri tani nuk ka asnjë metodë. Frika mbetet që deri në gjetjen e një zgjidhjeje, masivet pyjore me Bush të thahen totalisht.