Lajm i mirë, financohet projekti i gjimnazit të Klosit.
Pas shumë përpjekjesh prej tre vitesh më në fund gjimnazi i “Shaban Çollaku” në Klos, do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Në një shkresë zyrtare të dërguar nga Mat Televizion pranë Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, kjo e fundit është përgjigjur. Kërkesa kishte të bënte me financimin e projektit të rikonstruksionit të gjimnazit “Shaban Çollaku” në Klos. Koordinatori për të drejtën e informimit në Ministrinë e Arsimit, është përgjigjur zyrtarisht këtë të premte. Në përgjigje thuhet:
Në lidhje me gjimnazin “Shaban Collaku” në bashkinë Klos, sqarojmë se MASR ka shqyrtuar aplikimin për financimin e projektit të Bashkisë Klos dhe e ka përcjellë për miratim në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve.
Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, i kryesuar nga Kryeministri, ka miratuar financimin e projektit për bashkine Klos.
Pas botimit në fletoren zyrtare, Bashkisë Klos do t’i çelen fondet e planifikuara sipas vendimit të KZHR-së për vitin 2019, për të vijuar në cilësinë e Autoritetit Kontraktor më tej me procedurat e prokurimit dhe nënshkrimit të kontratës së zbatimit.
Nëse projekti do të nis zbatimin shumë shpejt, atëherë gjimnazistët dhe stafi pedagogjik i gjimnazit “Shaban Çollaku” Klos, do ta nisin vitin e ri të ardhshëm shkollor në ambjente të rikonstruktuara.
D.K