Më në fund rruga Shoshaj – Urakë, pjesë e rrugës nacionale Ura e Matit – rrëshen, po i nënshtrohet një ndërhyrje nga ana e Bashkisë Mat. Edhe pse ky është një aks nacional dhe jo në varësi të bashkisë, kjo e fundit ka nisur rehabilitimin e tij, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve.
Mat Televizion e ka ngritur disa herë problemin e kësaj rruge, ndërsa për shkak se investimi nuk ishte inventarizuar nga pushteti vendor dhe ARRSH nuk e kishte marrë në dorëzim, zbatuesi i projektit nuk ndërhyri, duke bërë që rruga të kthehej në një gangrenë të vërte për të gjithë përdoruesit e saj.
Ndërhyrja nga Bashkia e Matit është bërë me qëllimin e përmirësimit të infrastrukturës për mjetet e 4 njësive administrative që kalojnë në të çdo ditë.
Mjetet e kësaj bashkie kanë nisur punën për shtrimin me zhavor të të gjitha pjesëve të dëmtuara, ku shtresa asfaltike ka qenë prishur e gjitha. Megjithëse kjo nuk është zgjidhje definitive dhe ajo e duhura për këtë aks rrugor, për momentin është pritur mirë jo vetëm nga drejtuesit e mjeteve që lëvizin në të, por edhe banorë të zonës.
Aksi rrugor Shoshaj – Urakë ka përfunduar në vitin 2014, por që prej mbylljes së punimve për të nuk u kujdes më askush, ku institucionet ja kalonin përgjegjësinë njëri – tjetrit.