Ndërtimi i rrugës së Arbrit në fshatin Gjoricë të Bulqizës krijoi probleme të mëdha për banorët të cilëve një pjesë e mirë e tokave bujqësore ju mbetën në anën tjetër të rrugës. Nisur nga kjo ata vazhdimisht kanë kërkuar nënkalime pasi duhej që të nxirrnin bagëtinë apo të merrnin prodhimet e mbjella në anën e zallit të Bulqizës. Por kërkesat e tyre nuk u morën menjëherë parasysh gjatë ndërtimit të aksit, duke u kthyer në një problem për këta banorë. Por pas kërkesave të vazhdueshme, të cilat edhe i kanë bërë publike në media, më në fund ka ardhur edhe reagimi i firmës nënkontraktore që ka ndërtuar këtë segment të rrugës së Arbrit. Firma ka nisur punën për ndërtimin e rrugës dytësore për banorët. I pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla. Ai tha se kërkesat e banorëve kanë qenë të drejta, ndërsa rruga dytësore do të zgjidhë problemin. Sipas tij, nuk mund të ketë nënkalime në të gjithë rrugën, ndaj është ndërtuar ajo dytësore.