Është dashur që problemi të bëhej publik në Mat Televizion që Bashkia Klos të ndërhynte për riparimin e dërrasave të urës së fshatit Dars në vendin e quajtur ish pazari i vjetër në Klos. Ura në fjalë ishte bërë gati e pakalueshme edhe për këmbësorët për shkak se shumë prej dërrasave ishin thyer. Banorët e fshatit Dars, fshatit Fshat dhe disa fshatrave të Njësisë Xibër, ngritën shqetësimin se po izoloheshin, sidomos në këtë periudhë të ndërprerjes së transportit publik. Por pas transmetimit në Mat Tv, menjëherë ka vepruar bashkia e Klosit e cila që prej së Martës po punon për riparimin e dërrasave. Zëvendëskryetari i kësaj Bashkise, Armand Gjini tha se riparimi do të bëhet i plotë dhe se nuk do lejohet më kalimi i mjeteve mbi tonazhin e përcaktuar për të tilla ura. Kjo urë e ndërtuar tre vite më parë, i shërben qindra banorëve të fshatrave Dars e Fshat si dhe shumë fshatrave të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit.