Pas dështimit të mbledhjes së zakonshme të datës 20 qershor ku në mbledhjen e këshillit bashkiak munguan 11 këshilltarë, këtë të hënë u zhvillua një mbledhje jashtë radhe. 15 këshilltar u mblodhën për të kaluar ndihmën ekonomike për muajin Qershor, projekt-vendimin e personave me aftësi të kufizuara dhe kompensiimin e energjisë elektrike për muajin Maj, miratimin e fondit 6% të ndihmës ekonomike për muajin Maj dhe të ndryshme. Të tre pikat e para në rendin e ditës kaluan në unanimitet të plotë nga 15 këshilltarët e pranishëm në mbledhje, pas relatimit të përgjegjësve të zyrës së shërbimit social. Ndërkohë në këtë mbledhje ra në sy mungesa e debateve politike, të cilat sollën edhe dëshimin e mbledhjes së katër ditëve më parë. Këshilltarët e pranishëm të majtë e të djathtë, nuk u përfshin në asnjë debat politik, ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak Agim Hysa, falenderoi të gjithë këshilltarët për bashkëpunimin katër vjeçar. Kjo ishte mbledhja e fundit e kësaj legjislature për këshillin e Bashkisë së Matit.